Në një lëvizje simbolike, por edhe me një mesazh të qartë për qytetarët, kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, u paraqit në Komisariatin e Policisë në sheshin Sintagma për të aplikuar për letërnjoftimin e tij të ri biometrik.
I shoqëruar nga gazetarë dhe ekipe televizive, Mitsotakis kreu të gjitha procedurat e nevojshme për pajisjen me dokumentin e ri të identifikimit, duke dhënë një shembull publik për procesin që po zhvillohet në të gjithë vendin.
Paraqitja e kryeministrit vjen në një kohë kur sistemi për rezervimin e takimeve për letërnjoftimet e reja po përballet me mbingarkesë dhe vonesa të shumta, për shkak të fluksit të madh të qytetarëve që kërkojnë të rinovojnë dokumentet e tyre.
Autoritetet greke kanë përcaktuar se deri në gusht 2026, të gjithë qytetarët duhet të pajisen me letërnjoftimet e reja biometrike, të cilat përmbajnë elemente të avancuara sigurie dhe janë të harmonizuara me standardet europiane të identifikimit digjital.
Me këtë veprim, Mitsotakis synon të nxisë qytetarët që të mos e lënë procesin për momentin e fundit dhe të përfundojnë në kohë rinovimin e dokumenteve të tyre të identifikimit.












