Brezi i prindërve tanë mbijetoi. Brezi ynë ka detyrimin të udhëheqë.
Nuk e mbaj mend vitin 1997 ashtu siç e kujtojnë të rriturit. Nuk mbaj mend analizat politike, lajme apo faqet e para të gazetave, por mbaj mend pasojat e tij. Sepse ka ngjarje që, edhe nëse je fëmijë, përcaktojnë gjithë jetën tënde. Ka momente në histori që nuk i zgjedh ti. Janë ato që të zgjedhin ty.
Mbaj mend një tingull. Tingullin e armës, të plumbit që kalon përmes xhamit dhe ngulitet në mur. Në fillim ngjan me një fishkëllimë, pastaj një shpërthim i thatë. Ky tingull nuk largohet kurrë. E dëgjon përsëri sa herë dështon, sa herë rrëzohesh, sa herë zhgënjehesh. Nuk është i heshtur në kokën tënde, është gjithmonë aty dhe bashkë me të ngrihet një zë nga thellësia, i largët në fillim, pastaj gjithnjë e më urdhërues: Ngrihu. Ngrihu. Lëviz. Lëviz.
Dy fjalë që do të përcaktojnë përgjithmonë mënyrën se si do të përballesh me situatat e vështira. Dy fjalë që u bënë fillimi. Mësimi i parë. Kodi i mbijetesës. Nuk do të ketë kurrë kohë për dorëzim apo humbje shprese. Sa herë rrëzohesh, ngrihesh. Menjëherë. Instinktivisht.
Ka breza që trashëgojnë normalitetin. Dhe ka breza që trashëgojnë një betejë. Unë i përkas të dytit.
Linda në një kohë kur Shqipëria përpiqej të shëronte plagët e saj pas dekadash izolimi. Një vend që po dilte nga regjimi komunist më i ashpër në Europë, duke u përpjekur të mësonte nga e para çfarë do të thotë liri, demokraci dhe ekonomi tregu. Kujtimet e mia të para nuk janë kujtime fëmijërie pa brenga. Janë pamje të një vendi që po shembej.
Është viti 1997. Nuk është thjesht një datë në librat e historisë. Është kujtesë familjare. Janë valixhe të mbushura me nxitim. Njerëz që lanë pas shtëpi, të afërm, pasuri dhe siguri. Familje që u ndanë në kufi. Jo sepse kërkonin pasuri, por sepse kërkonin diçka shumë më të thjeshtë: siguri, dinjitet, të ardhme.
Brezi i prindërve tanë nuk u largua duke kërkuar një jetë më të mirë.
U largua thjesht duke kërkuar të jetonte.
Erdhën në një Greqi që ende nuk dinte çfarë të bënte me ta. Disa ishin të arsimuar dhe me përvojë në poste me përgjegjësi, disa të tjerë me universitetin e jetës. Punuan në ara, në ndërtim, pastruese, në kantierë. Orë të pafundme, pa orar, pa siguri, pa të drejta shumë herë.
Ishin vite të vështira. Vite paragjykimesh. Vite ku duhej të punonin dyfish për t’u konsideruar të barabartë. Të provonin çdo ditë se meritonin një vend në shoqëri. Vite ku fëmijët fshihnin origjinën e tyre që të mos ndiheshin ndryshe.
Por ishin edhe vite dinjiteti. Vite integrimi. Vite krijimi.
Vite më vonë, historianët do të thonë:
“Historia më e suksesshme e integrimit në Ballkan.”
Greqia u bë për mijëra familje vendi që u dha mundësinë të fillonin nga e para. Prandaj besoj thellë se historia e emigracionit shqiptar në Greqi nuk është histori përplasjeje. Është histori takimi.
Është histori njerëzish që punuan, krijuan, paguan taksa, krijuan familje, dërguan fëmijët e tyre në shkollat dhe universitetet greke dhe u bënë pjesë e shoqërisë. Sot mund të themi me krenari se historia e atij brezi është një histori suksesi. Është një histori që meriton të tregohet me sinqeritet dhe respekt.
Sepse për shumë vite brezi i parë i emigrantëve bëri një betejë të heshtur. Një betejë që nuk pasqyrohet lehtë në statistika. Betejën e përditshmërisë. Betejën e mbijetesës.
Unë i përkas atij brezi që u rrit mes dy atdheve, dy gjuhëve, dy kulturave. Nuk kishim rrënjë thellë në tokë, por ato rrënjë ishin mbështjellë rreth këmbëve tona dhe na tërhiqnin herë nga njëra anë e herë nga tjetra.
Dhe kështu u detyruam të nxirrnim krahë.
Mësuam të fluturonim vetë, me gjithçka që kjo nënkupton, dhe u kujdesëm që krahët tanë të bëheshin aq të fortë sa të mbanin jo vetëm shpirtin tonë, por edhe shpirtin e prindërve tanë. Sepse shihnim në sytë e tyre se në çdo sukses tonin nuk ndriçonin vetëm për ëndrrat tona. Ata shihnin tek ne gjithë dritën që vetë nuk arritën ta shihnin kurrë.
Kjo u bë trashëgimia ime më e madhe.
U rrita duke parë forcën, dinjitetin dhe vetësakrificën e njerëzve të brezit të parë. Studiova, punova, përparova duke patur gjithmonë atë tingull në kokën time: “Ngrihu. Lëviz.” Asgjë nuk më është falur. Por nuk reshta kurrë së besuari tek njeriu.
Nëse sot shumë prej nesh kemi studiuar, kemi një rrugëtim profesional dhe kemi zë publik, kjo ndodhi sepse disa para nesh sakrifikuan ëndrrat e tyre që ne të mund të ndiqnim ëndrrat tonat.
Brezi i prindërve tanë fitoi diçka shumë më të madhe se mbijetesa ekonomike. Fitoi të drejtën që fëmijët e tyre të ëndërronin.
Unë jam një prej këtyre fëmijëve. Dhe kjo vetëdije më shoqëron në çdo hap.
Arsimi për mua nuk është titull. Është mjet. Mjet kuptimi. Mjet dialogu. Mjet kontributi. Sepse vlera e vërtetë e dijes nuk qëndron tek ato që dimë, por tek ato që mund të ndryshojmë përmes asaj që dimë.
Që herët jam angazhuar në çështjet shoqërore, si jashtë ashtu edhe brenda roleve institucionale, përmes aktivitetit tim profesional, nismave sociale dhe kontaktit të përditshëm me njerëz që kërkonin zgjidhje. Gjithmonë kam besuar se kontributi shoqëror nuk fillon kur merr një titull. Fillon në momentin kur vendos të interesohesh.
Besoj fort se shoqëritë ecin përpara kur njerëzit bashkojnë forcat e tyre. Kur nuk presin që të tjerët të japin zgjidhje, por bëhen vetë pjesë e zgjidhjes.
Nuk e njihja mirë dhe në thellësi institucionin e Diasporës dhe mënyrën e funksionimit të saj. Por besoja se secili, nga pozicioni i vet, mund të kontribuojë. Dhe në një moment kuptova se nëse dua të jap më shumë, duhet të përfshihem në mënyrë më aktive. Të mos jem thjesht vëzhguese. Të jem e pranishme. Të jem e dobishme.
Gjatë rrugës njoha njerëz që kishin kushtuar vite nga jeta e tyre për të mbajtur gjallë komunitetin tonë. Njoha njerëz me rrugëtime të ndryshme, por me të njëjtin shqetësim për të ardhmen. Ajo që na bashkonte ishte shumë më e rëndësishme sesa ajo që mund të na ndante. Me disa njiheshim prej kohësh. Me të tjerë u njohëm gjatë rrugës. Shkëmbyem ide, shqetësime dhe ëndrra për të ardhmen e komunitetit tonë.
Më nderuan me zgjedhjen time si Sekretare e Përgjithshme e Diasporës Shqiptare në Greqi.
Për mua kjo zgjedhje është nder. Është gjithashtu një kujtesë e vazhdueshme përgjegjësie, sepse ne nuk përfaqësojmë thjesht një komunitet emigrantësh. Përfaqësojmë një histori. Një rrugëtim. Një përpjekje kolektive dekadash.
Dhe sot gjendemi përballë një mundësie unike: Të kalojmë nga epoka e mbijetesës në epokën e pjesëmarrjes. Nga epoka e pranisë në epokën e ndikimit. Nga sukseset individuale tek përfaqësimi kolektiv.
Për herë të parë, kemi mundësinë të kalojmë nga historia e mbijetesës tek historia e ndikimit dhe përfaqësimit real institucional.
Diaspora nuk mund të funksionojë më vetëm si bartëse kujtimesh.
Duhet të funksionojë si bartëse perspektive.
Nuk mjafton të kujtojmë nga kemi ardhur.
Duhet të vendosim se ku duam të shkojmë.
Për brezin e parë, për ata që ndërtuan gjithçka me duart e tyre, kemi detyrimin të zgjidhim problematikat që vazhdojnë ende t’i mundojnë: çështjet e dokumenteve, procedurat administrative, pensionet dhe të drejtat sociale.
Ata hapën rrugën.
Nuk mund t’i lëmë ta përfundojnë këtë rrugëtim si viktima të burokracisë.
Për brezin e dytë, për fëmijët që u rritën mes dy gjuhëve dhe dy kulturave, identiteti i dyfishtë nuk është barrë. Është avantazh.
Këta fëmijë mund të bëhen ura lidhëse mes dy popujve, dy vendeve, dy të ardhmeve.
Për herë të parë në historinë e emigracionit shqiptar në Greqi, kemi një brez që nuk lufton më për mbijetesë, por ka potencialin të udhëheqë.
Unë dua një Diasporë që investon tek ata, përmes rrjeteve të shkencëtarëve, universitarëve, sipërmarrësve, artistëve dhe profesionistëve të rinj, të cilët do të prodhojnë ide, do të formësojnë politika dhe do të marrin pjesë në debatin publik.
Gjithashtu besoj thellë tek roli i grave në jetën publike, jo si prani simbolike, por si forcë reale ndryshimi. Komuniteti ynë ka gra të jashtëzakonshme: shkencëtare, profesioniste, nëna dhe lidere. Ato duhet të jenë në vijën e parë.
Dua një Diasporë të hapur, moderne, europiane, që dialogon në mënyrë të barabartë me institucionet në Shqipëri, në Greqi dhe në Europë.
Një Diasporë që nuk kufizohet vetëm në festime dhe aktivitete, por që prodhon propozime dhe zgjidhje. Një Diasporë që shërben si urë lidhëse dhe bashkëpunimi. Sepse një Diasporë e fortë nuk është përfitim vetëm për shqiptarët. Është përfitim për Greqinë. Është përfitim për stabilitetin dhe miqësinë mes popujve tanë.
Rreziku më i madh për çdo komunitet nuk janë vështirësitë e jashtme. Janë ndasitë e brendshme. Kemi shumë më tepër gjëra që na bashkojnë sesa ato që na ndajnë.
Nuk harrojmë kurrë nga kemi nisur. Nga valixhet. Nga kufijtë. Nga frikërat. Nga sakrificat.
Por nuk kemi lindur për të mbetur aty.
Brezi i prindërve tanë na mësoi çfarë do të thotë qëndresë.
Brezi ynë ka detyrimin të tregojë çfarë do të thotë përgjegjësi.
Brezi i ardhshëm meriton të trashëgojë jo vetëm kujtimet e emigracionit, por një komunitet më të fortë, më të organizuar dhe me dinjitet.
Ky është kuptimi i vërtetë i progresit.
Nuk ke pse të zgjedhësh mes rrënjëve të tua dhe së ardhmes tënde. Mund t’i respektosh të dyja. Mund ta duash origjinën tënde dhe njëkohësisht të respektosh thellësisht vendin që të dha mundësi.
Ka ardhur koha që zëri i brezit të ri të Diasporës Shqiptare të dëgjohet.
Jo më fort se të tjerët.
Por qartë. Me vetëbesim. Me respekt. Me vizion.
Sepse historia jonë nuk filloi me privilegje.
Filloi me valixhe.
Filloi me përpjekje.
Filloi me njerëz që nuk u dorëzuan.
Ngrihu. Lëviz. Dhe këtë herë…
të gjithë bashkë.
Me respekt
Sofia Ioli Buda
Sekretare e Përgjithshme e Diasporës Shqiptare në Greqi












