Skena tensioni dhe indinjate janë regjistruar jashtë gjykatës, menjëherë pasi u shpall vendimi për çështjen e 11-vjeçarit Mario, i cili humbi jetën nga një plumb qorr gjatë një feste shkollore në Menidi.

Pak minuta pasi i pandehuri kryesor u dënua me burgim të përjetshëm, të afërm të tij sulmuan ekipet televizive dhe gazetarët që po ndiqnin procesin. Në vendngjarje pati edhe përplasje me forcat e policisë, të cilat ndërhynë për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Megjithatë, ajo që shkaktoi tronditje të madhe ishte një thirrje që u dëgjua mes kaosit: “E vramë? Mirë ia bëmë!”, duke iu referuar vogëlushit Mario, i cili u vra në moshën 11-vjeçare nga një plumb i humbur ndërsa ndodhej në aktivitetin e shkollës së tij.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik grek, jo vetëm për tragjedinë që i mori jetën një fëmije të pafajshëm, por edhe për mungesën e pendesës që shfaqën disa prej të afërmve të të dënuarit.
Rasti i Marios mbetet një nga ngjarjet më të rënda që kanë tronditur Greqinë vitet e fundit, duke u kthyer në simbol të nevojës për luftë më të ashpër kundër armëve ilegale dhe dhunës kriminale.












