Avikati i popullit z, Shabani deklaroi se shqetësimi më i madh në burgjet shqiptare mbeten kushtet çnjerëzore dhe numri i lartë i personave që mbahen në paraburgim pa një vendim përfundimtar.
Duke komentuar edhe debatin për trajtimin e Ilir Meta, Shabani tha se prioritet i institucionit nuk janë “të burgosurit VIP”, por qytetarët e zakonshëm që nuk kanë mundësi të dëgjohen. Ai ngriti alarmin për mungesën e trajtimit mjekësor në burgje, duke theksuar se vetëm në katër muajt e fundit kanë humbur jetën pesë persona, ndërsa shumë të burgosur presin me javë apo muaj për të marrë shërbim shëndetësor. Sipas tij, rreth 60% e personave në burgjet shqiptare janë ende të padënuar me vendim të formës së prerë, një shifër që ai e cilësoi shumë më të lartë se mesatarja europiane.
“Ne jemi një institucion që kemi vazhdimësi, por unë, si drejtues i ri i këtij institucioni, kam vendosur prioritetet e mia. Për mua prioritet janë njerëzit që nuk kanë zë. E di që vëmendja publike dhe mediatike fokusohet kryesisht te të burgosurit VIP apo figurat e njohura, por për mua prioritet janë qytetarët e zakonshëm: ata që mund të jenë në burg pa një vendim përfundimtar, ata që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, ata që kanë sëmundje të rënda dhe mbahen në kushte çnjerëzore, si edhe të moshuarit që në disa raste qëndrojnë në burg pa një vendim të formës së prerë.
Pa dyshim, shtetasi Ilir Meta apo shtetas të tjerë kanë paraqitur ankesa pranë institucionit të Avokatit të Popullit dhe janë trajtuar njësoj si çdo qytetar tjetër. Por për mua prioritet nuk janë të burgosurit VIP. Prioritet janë qytetarët që nuk kanë mundësi të dëgjohen. Raporti ynë është bërë publik dhe kushdo mund ta lexojë. Por fokusi ynë kryesor janë kushtet çnjerëzore në të cilat mbahen sot shumë persona në institucionet e vuajtjes së dënimit, veçanërisht ata me probleme shëndetësore.
Në burgjet e Durrësit, Lezhës dhe institucione të tjera ku mbahen persona me probleme shëndetësore apo me masa sigurie, kemi konstatuar kushte të papranueshme: mungesë trajtimi të duhur mjekësor, vonesa në aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore dhe probleme serioze në trajtimin e tyre. Vetëm gjatë katër muajve të fundit kanë humbur jetën pesë persona në burgje. Dy prej tyre kanë ndërruar jetë nga arresti kardiak. Nga monitorimet që kemi zhvilluar, kemi konstatuar raste kur të burgosurve u është dashur të presin deri në dy muaj për të takuar një mjek kardiolog. Dhe dy muaj, në raste të tilla, mund të jenë diferenca mes jetës dhe vdekjes.
Në lidhje me pyetjen për “kafazin e xhamit”, nga trajtimi që ne kemi bërë, ai nuk përbën automatikisht shkelje të të drejtave të njeriut. Por përdorimi i tij duhet të vlerësohet rast pas rasti. Ai duhet të aplikohet vetëm në rastet kur ka rrezikshmëri nga personi i akuzuar, rrezik për largimin e tij, apo rrezik për sigurinë e tij dhe të të tjerëve në sallën e gjyqit. Sa i përket paraburgimeve, vëmendja sot është rritur sepse në paraburgim ndodhen edhe njerëz të pushtetshëm. Por nuk duhet harruar se ata përfaqësojnë vetëm një pjesë shumë të vogël të personave që ndodhen sot në paraburgim.
Ne, si institucion i Avokatit të Popullit, por edhe Këshilli i Europës, e kemi ngritur këtë si problematikë serioze. Sot, rreth 60% e personave që ndodhen në burgjet shqiptare nuk janë të dënuar me vendim të formës së prerë. Pra, janë në burg ndërkohë që hetimi apo procesi gjyqësor ndaj tyre ende vazhdon. Kjo përbën shqetësim serioz për të drejtat e njeriut, sepse edhe legjislacioni shqiptar e parashikon paraburgimin si masë përjashtimore. Askush nuk duhet të mbahet në burg pa një vendim përfundimtar, përveç rasteve kur plotësohen kushtet e përcaktuara qartë nga ligji. Sot, 60 nga 100 persona që mbahen në burg ende nuk e dinë nëse janë apo jo fajtorë. Kjo situatë duhet të ndryshojë, sepse është gati trefishi i mesatares europiane.
Në Europë, më pak se 25% e personave që mbahen në burgje janë të padënuar. Ky është fokus i rëndësishëm i institucionit tonë. Pa dyshim, vëmendja e politikës dhe medias shkon shpesh te të burgosurit VIP, apo te të pandehurit e SPAK-ut, që janë pjesa më e vogël, por edhe më e zhurmshme. Megjithatë, ata zakonisht kanë avokatin e tyre dhe nuk kanë nevojë për avokatin e popullit. Avokati i Popullit duhet të flasë sidomos për ata që nuk kanë zë” tha ai.












