Revolucioni i kriptomonedhave, Shqipëria kthesë rrënjësore në rregullimin e tregut të aseteve virtuale, rregulla të forta kundër abuzimit dhe manipulimit me çmimet
Shqipëria përgatitet të bëjë një kthesë rrënjësore në rregullimin e tregut të aseteve virtuale. Qeveria ka gati projektligjin e ri “Për Tregjet e Kripto-Aseteve”, i cili shfuqizon ligjin e vjetër të vitit 2020 (që nuk prodhoi asnjë subjekt të licencuar) dhe përshtat plotësisht rregulloren e famshme të Bashkimit Evropian, të njohur si MiCA (Markets in Crypto-Assets).
Projektligji i ri synon të vendosë rregulla të qarta loje për gjithçka: nga emetimi i tokenave, platformat e tregtimit (bursat), kuletat digjitale, e deri te këshillimi për investime, shkruan rtsh.al.
Dështimi i ligjit të vjetër dhe rregullat e reja
Relacioni shpjegues pranon se ligji aktual “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” ka qenë joefektiv. Pavarësisht miratimit të akteve nënligjore, asnjë kërkesë për licencim nuk ka mbërritur pranë AMF-së.
Ligji i ri sjell ndryshime thelbësore si hiqet detyrimi për të kaluar përmes “agjentëve” apo ndërmjetësve të detyrueshëm. Çdo subjekt mund të aplikojë direkt.
Rregullohen për herë të parë shërbime si këmbimi (exchange), kujdestaria (custody), menaxhimi i portofolit dhe këshillimi.
Ndryshe nga ligji i vjetër, autoritetet e teknologjisë së informacionit (si AKSHI) nuk do të jenë më autoritete licencuese apo mbikëqyrëse. Ky rol i mbetet vetëm AMF-së dhe Bankës së Shqipërisë.
Roli kyç i Bankës së Shqipërisë
Një nga risitë më të mëdha është ndarja e qartë e kompetencave. Ndërsa AMF do të mbikëqyrë platformat e tregtimit dhe ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve (CASP), Banka e Shqipërisë merr një rol protagonist për mbikëqyrjen e emetuesve të “Stablecoins” (monedha të qëndrueshme).
Projektligji i ndan këto në:
Tokena të Aseteve (ART)- Kripto-asete që referojnë vlerën e një shporte asetesh.
Tokena të Parasë Elektronike (EMT)- Kripto-asete që referojnë vlerën e një valute zyrtare (psh: Euro, Dollar, Lek).
Për këto të fundit, ligji ndalon rreptësisht dhënien e interesit. Qëllimi është që ato të përdoren për pagesa dhe jo si instrumente kursimi që konkurrojnë depozitat bankare. Emetuesit duhet të mbajnë rezerva të larta likuiditeti për të garantuar shlyerjen e klientëve në çdo kohë.
Mbrojtja e konsumatorit
Për t’i dhënë fund mashtrimeve apo projekteve fantazmë, ligji vendos detyrimin e “Dokumentit Informues” (Whitepaper). Asnjë kripto-aset nuk mund të hidhet në treg pa publikuar këtë dokument, i cili duhet të jetë i qartë, i plotë dhe jo-keqorientues.
Emetuesit mbajnë përgjegjësi civile për çdo humbje që u shkaktohet investitorëve nga informacioni i rremë në Whitepaper.
Investitorët jo-profesionistë kanë të drejtë të tërhiqen nga blerja brenda 14 ditëve, pa asnjë penalitet (përveç rasteve kur aseti është listuar tashmë në bursë).
Integriteti i tregut dhe “Sandbox”
Ligji i ri vendos rregulla të forta kundër abuzimit me tregun, duke ndaluar tregtimin me informacion të brendshëm (insider trading) dhe manipulimin e çmimeve. Platformat e tregtimit duhet të kenë sisteme për të zbuluar dhe raportuar këto raste.
Gjithashtu, parashikohet krijimi i një “Sandbox-i rregullator” 3-vjeçar, një mjedis testues ku bizneset inovative mund të operojnë nën mbikëqyrje të kontrolluar për të testuar produktet e reja para se të dalin plotësisht në treg.
/rtsh.al/












