Gjatë diskutimeve u trajtuan tema me rëndësi të madhe për komunitetin shqiptar në Greqi, si: Çështja e pensioneve dhe sigurimeve shoqërore, problematikat e lejeve të qëndrimit (vonesat, kriteret e rënda, procedurat burokratike), mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Greqi, njehsimi (njohja) i diplomave të lëshuara nga institucionet shqiptare, të drejtat e njeriut, me theks tek trajtimi i denjë i personave me aftësi të kufizuara dhe kategorive të ndjeshme sociale.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e PASOK-ut vlerësuan kontributin e emigrantëve shqiptarë në shoqërinë greke dhe rikujtuan rolin historik të partisë së tyre në mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve, duke theksuar ndërhyrjet parlamentare dhe pyetjet zyrtare që kanë bërë ndër vite mbi këto çështje.
Takimi, që zgjati rreth dy orë, përfundoi me dakordësinë e të dy palëve për të bashkëpunuar ngushtë (përmes ekspertëve të fushave përkatëse ) në tre prioritete kryesore: – Pensionet dhe sigurimet shoqërore, – Mësimi i gjuhës shqipe dhe njehsimi i diplomave, – Çështjet dokumentare dhe të të drejtave të njeriut.















