Athinë – Rruga drejt marrjes së shtetësisë greke nuk është më një proces vetëm burokratik. Sot ajo kalon përmes një “filtri” të madh njohurish dhe aftësish, që ka për qëllim të tregojë nëse aplikanti është vërtet i integruar në shoqërinë greke. Ky filtër quhet Certifikata e Mjaftueshmërisë së Njohurive për Natyralizim (Π.Ε.Γ.Π.), e vendosur me ligjin 4735/2020, e cila ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën e natyralizimit.
Prova e 2 nëntori 2025
Sekretaria e Përgjithshme e Nënshtetësisë ka shpallur se provimi i ardhshëm do të zhvillohet të dielën, më 2 nëntor 2025, në dhjetëra qytete të Greqisë.
Ky test nuk është thjesht një kontroll formal. Ai vlerëson në mënyrë të shumanshme:
Gjuhën greke në nivel B1,
Historinë dhe gjeografinë e vendit,
Kulturën dhe institucionet politike.
Gjithsej 60 qendra provimi
Për këtë sesion do të hapen:
53 Qendra Provimi (Ε.Κ.) në gjithë vendin.
8 Qendra të Veçanta Provimi (Ε.Ε.Κ.) për kandidatët me aftësi të veçanta: 5 në Atikë, 2 në Selanik dhe 1 në Iraklio.
Në total, 60 qendra do të jenë aktive në qytete të mëdha dhe të vogla: Athinë, Selanik, Komotini, Janinë, Korinth, Tripoli, Patra, Halkida, Larisë, Mitilini, Rodos, Iraklio, Hania dhe Hio.
Kush i vlerëson kandidatët dhe si?
Vlerësimi i provimit Π.Ε.Γ.Π. nuk është një procedurë e verbër, por një mekanizëm i organizuar mirë. Për të garantuar seriozitet dhe objektivitet, Ministria e Brendshme ka ngritur një regjistër të posaçëm pedagogësh.
Në këtë regjistër mund të përfshihen vetëm mësues të arsimit publik dhe privat, të cilët shprehin interes dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara nga Komisioni Shkencor i Π.Ε.Γ.Π.. Përzgjedhja nuk është automatike: ata aplikojnë përmes një platforme elektronike zyrtare dhe certifikohen me kodet Taxisnet.
Konkretisht, vlerësuesit janë:
Filologë të gjimnazeve dhe liceve (ΠΕ02).
Mësues të arsimit fillor (ΠΕ70), shpesh me studime pasuniversitare ose doktorata në mësimdhënien e greqishtes si gjuhë e huaj/dytësore.
Mësues të gjuhëve të huaja: frëngjisht (ΠΕ05), anglisht (ΠΕ06), gjermanisht (ΠΕ07).
Shumë prej tyre kanë formim shtesë në fusha si: Edukimi i veçantë, Shkencat Politike, Historia, Jurisprudenca, Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Sociologjia dhe Gjeografia. Kjo bën që komisionet të mos jenë thjesht “mësues gjuhe”, por profesionistë me një profil të gjerë akademik.
Si bëhet vlerësimi?
Provimi me shkrim: Kandidatët dorëzojnë fletët, të cilat kodohen dhe dërgohen në Qendrat e Vlerësimit (Β.Κ.) në Athinë. Çdo test kontrollohet nga dy vlerësues të ndryshëm për të shmangur subjektivitetin. Për çdo fletë, korrigjuesit paguhen 3 euro.
Provimi me gojë: Vlerësohet menjëherë në qendrën e provimit nga një komision prej dy vlerësuesish. Kandidatit i bëhen pyetje mbi tema të përditshme dhe njohuri bazë për Greqinë. Në rast mosmarrëveshjeje, fjalën e fundit e jep një vlerësues i tretë.
Mbikëqyrja: Gjatë provimit të shkruar, në klasa gjenden mësues të tjerë si mbikqyrës. Ata paguhen veçmas për këtë detyrë (110 € për ditën e provimit).
Ky sistem i detajuar garanton objektivitet dhe barazi, duke shmangur çdo subjektivitet të mundshëm.
Me shkrim apo me gojë: ku duhet përqendruar?
Shumë kandidatë pyesin: Ku duhet të vë më shumë theksin?
Në provimin me shkrim pritet që kandidati të tregojë se mund të organizojë mendimet, të përdorë drejt gramatikën dhe të hartojë një tekst të thjeshtë por koherent, për shembull një letër, një shpjegim të një ngjarjeje, apo një ese me argumente të thjeshta. Leximi i teksteve dhe përgjigjet me shkrim mbi to janë gjithashtu pjesë e domosdoshme.
Në provimin me gojë vlerësohet qartësia dhe rrjedhshmëria e të folurit. Pyetjet lidhen me tema të përditshme (p.sh. përshkruani ditën tuaj, flisni për punën apo për familjen) por edhe për njohuri bazë për Greqinë. Nuk kërkohet greqisht perfekte, por një komunikim i kuptueshëm dhe i natyrshëm.
Ekspertët theksojnë se për shumë kandidatë pjesa me gojë është më sfiduese, sepse kërkon spontanitet dhe siguri në të folur. Ndërsa pjesa me shkrim shpesh i penalizon ata që nuk kanë ushtruar mjaftueshëm strukturën e fjalisë dhe drejtshkrimin.
Çfarë tregoi sesioni i prillit 2025
Statistikat e fundit tregojnë qartë se provimi nuk është i lehtë. Në 6 prill 2025:
4.222 persona u regjistruan.
4.210 morën pjesë (12 u përjashtuan për shkelje rregullash / kopjim).
Vetëm 2.136 kaluan, pra rreth 50,74 %.
Gjysma e kandidatëve dështoi. Ky është një paralajmërim i qartë për ata që mendojnë se provimi mund të kalohet pa përgatitje serioze.
Një hap drejt integrimit të plotë
Kalimi i provimit Π.Ε.Γ.Π. është hapi i parë madhor drejt marrjes së shtetësisë. Pas tij pason vlerësimi administrativ. Por pa këtë certifikatë, dera e natyralizimit mbetet e mbyllur. Për mijëra emigrantë, ky test është shumë më tepër sesa një detyrim. Është një provë integrimi, një akt simbolik dhe praktik që vulos përkatësinë e tyre në shoqërinë greke.
Burimi : Shqip.gr















