21.4 C
Athens
E mërkurë, 19 Nëntor, 2025

Berisha: Rama duhet të japë dorëheqjen për lidhje me drogën

Për pozicionin reklama1
Për pozicionin reklama2

Kreu i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, ka deklaruar publikisht se kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen. Sipas zotit Berisha, kryeministri është një “person i rrezikshëm” dhe “bashkëpunëtor i organizatave të narkoterrorizmit ndërkombëtar”.

Këto akuza vijnë në vazhdim të denoncimit të bërë nga ana e tij, lidhur me një takim të dyshuar në vitin 2019 në Aruba, Karaibe, ku thuhet se kanë marrë pjesë kryeministri Rama dhe disa ministra, së bashku me përfaqësues të organizatave narkoterroriste, të shpallura të tilla nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).

Zoti Berisha shtoi se, pavarësisht mendimeve të kundërta të disa mbështetësve të tij, ai do të vazhdojë të mbrojë interesat e shqiptarëve.

Ai shprehu dënimin më të fortë për atë që e cilësoi “terrori i narkoqeverisë mbi mediat”, duke denoncuar përpjekjet për të fshehur lidhjet e kreut të shtetit me “bursën botërore të drogave” dhe takimin në Aruba.

Kryedemokrati përmendi mirënjohjen e tij për antimafien italiane, e cila, sipas tij, ka informuar publikun shqiptar për lidhjet qeveritare të kryeministrit me grupe të fuqishme të trafikut të drogës në Shqipëri dhe Venezuelë.

“Aruba është Venezuela, në rrafsh me drogën. Aruba quhet ndryshe ‘bankers of drug mafia’. Ata bosët, aty e kanë vendin,” tha ai, duke theksuar se ishulli ka edhe një mbikëqyrje të madhe.

Zoti Berisha sugjeroi se Aruba shërben si destinacion për klane shqiptare, me lidhje drejt Italisë, vendeve të Beneluksit dhe Spanjës. Ai theksoi se, edhe pse nuk mund të konfirmojë 100%, ka informacione se delegacioni i Arubës mund të jetë kryesuar nga vetë Edi Rama, ndërsa siguroi se me 100% vërtetësi, në takim kanë marrë pjesë ministra dhe zyrtarë shumë të lartë të qeverisë.

Ai sqaroi se disa të dhëna të lexuara, si ato ku përmendet “Trgeti” apo biseda mes Mario Çelës dhe Taulantit, i referohen historive të tjera, ku përdoren kode për të mbrojtur identitetet, por agjencitë inteligjente, sipas tij, i dinë qartësisht kush janë personat e përfshirë.

“Ne po bëjmë gjithçka t’i bëjmë publike,” u shpreh Berisha.

Në përfundim, Sali Berisha riktheu kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës, duke e cilësuar si “rrugën e vetme për shpëtimin e shqiptarëve, rajonit dhe Europës nga rreziqet e mëdha të narkoshtetit shqiptar”. Ai shtoi se Edi Rama nuk do të mund ta “kapërcejë Arubën” dhe se ai do të vazhdojë të mbrojë interesat e shqiptarëve dhe të qytetarëve të lirë, për t’i mbrojtur ata dhe fëmijët e tyre nga drogat e trafikuar nga klanet shqiptare.

Për pozicionin reklama1

Latest news

Për pozicionin reklama_sidebar

Related news

Për pozicionin reklama2