20.3 C
Athens
E mërkurë, 19 Nëntor, 2025

Mashtrime online: Si rekrutoheshin viktimat e skemave piramidale

Për pozicionin reklama1
Për pozicionin reklama2

Problemi mori vëmendje publike kur këto skema u denoncuan nga deputeti i Partisë Socialiste, ish-zv.kryeministri Erion Braçe.

“Dëgjoni… Ju kisha paralajmëruar ekzaktësisht këtë sepse piramidat kështu funksionojnë. Nuk ka qenë bursë kurrë, por thjesht ka qenë piramidë dhe kjo po provohet qartësisht tani,” denoncoi nga rrjetet sociale deputeti socialist Braçe. Duke llogaritur datën e infiltrimit nga agjentët e policisë dhe deklaratën nga ish-zv.kryeministri Braçe, rezulton se hapi i parë serioz është bërë në 28 gusht 2025, në të njëjtën ditë kur deputeti bëri denoncimin publik.

Sipas viktimës së mashtrimit, e cila ishte regjistruar në “Xuex”, bllokimi i parave në këto skema lidhej me denoncimin nga ish-zv.kryeministri. “Arsyeja është se ai politikani juaj ka bërë denoncim, kjo është arsyeja dhe prandaj është mbyllur,” pohoi për “Vetting” viktima e mashtrimit.

Faktikisht, menjëherë pas deklaratës së deputetit Braçe, pati tronditje brenda platformave private Telegram, ku operonin këta persona dhe shumica e tyre kërkuan të tërhiqnin paratë. Madje, në disa raste, sipas dosjes nga Prokuroria, bisedat në çate morën tone të ashpra.

Një qytetar shkroi: “Po më shkakton probleme me familjen. Shpresoj të rregullohet situata sa më parë profesor. Të tjerët janë, ok! Po ky ka futur një shumë prej 10.000 dollarësh dhe më kërcënon me jetën time. Edhe pse po ia shpjegoj shumë herë këtë situatë.”

Ndërsa personi me emrin Leo Smith, i njohur ndryshe si profesori, u përgjigj: “Kërkoji të presë me durim, nuk janë paratë që humbasin, është vetëm vonesa në pagesë. Pra, çfarë mendon se duhet të bëjmë? E tëra çfarë mund të bëjmë tani është të presim, vëlla. Në rregull, besoj se mund ta kalojmë këtë krizë pa probleme, mos u shqetësoni.”

Personazhi Leo Smith ose ndryshe profesori, është individi që drejtonte të gjitha transaksionet, komandonte dhe orientonte agjentët nëpërmjet grupeve në platformën Telegram. Sipas Prokurorisë së Fierit, ka dyshime për shtetësinë e këtij personi, por ajo që konfirmohet tashmë është se nuk ka pasur vetëm një grup.

As policia, as Autoriteti për Sigurinë Kibernetike, as Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nuk kanë dhënë një profil demografik të viktimave. Por nga analizimi i mënyrës së funksionimit të këtyre platformave, mund të nxirren disa përfundime.

Duke pasur parasysh modelin operativ të skemës ku viktimat rekrutoheshin përmes rrjeteve sociale, është e mundur që të preken grupmoshat që janë mjaft aktive online, pra të rinj nga mosha 18-35.

Sipas ekspertit Artan Gjergji, brezat e rinj janë më të dhënë pas teknologjisë dhe ndikohen shumë nga influencerat në platformat sociale. “Ky brez nuk e ka përjetuar shijen e hidhur të një dështimi financiar, siç është rënia e skemave piramidale në vitin ‘97. Pra, nuk e njohin si fenomen dhe nuk e kanë dëgjuar nga prindërit,” u shpreh eksperti Gjergji.

Në të njëjtën ditë që pati reagime nga deputeti i mazhorancës, papritur u kujtuan dhe institucionet që duhet të monitoronin këto platforma apo kanë kompetenca për të parandaluar këto mashtrime.

Në 28 gusht 2025, Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike do të njoftonte qytetarët shqiptarë të bënin kujdes nga platforma TXEX. Sipas Autoritetit të Sigurisë Kibernetike, përveç TXEX, në treg ishin edhe 2 platforma të tjera të ngjashme: XUEX dhe Grokrexduu.

Institucioni do të deklaronte se kishte marrë masa urgjente për bllokimin e aktivitetit të këtyre faqeve mashtruese, duke bashkëpunuar me institucionet përgjegjëse si Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Policinë e Shtetit dhe kompanitë që ofronin internetin.

Në të njëjtën ditë, do reagonte dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, duke deklaruar se platformat TXEX, XUEX dhe GROKREXDUU nuk janë të licencuara apo të autorizuara nga ai vetë për të ofruar shërbime investimi.

Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, rezulton se këto platforma paraqiten si aplikacione investimi që u ofrojnë përdoruesve “sinjale blerjeje” për kripto-asete, duke krijuar përshtypjen tek investitorët se mund të ndikojnë mbi çmimet dhe të realizojnë përfitime.

Autoriteti do të deklaronte se në tërësinë e tij ky proces është fiktiv dhe është në kundërshtim me ligjin duke mashtruar qytetarët.

Shifrat flasin qartë, vetëm në Divjakë janë evidentuar mbi 580 persona të prekur, me shuma investimi që shkonin nga 1 mijë deri në 5 mijë dollarë për person, duke përfshirë shpesh edhe familjarët.

Hetimi mbi platformën mashtruese XUEX nxori në pah një skemë tipike piramidale me kriptomonedha, që u përhap gjerësisht në qytete si Divjakë, Lushnje, madje edhe në Kosovë, nëpërmjet Prizrenit.

Ky rast tregon qartë se mashtrimet me kriptomonedha po përdorin të njëjtat mekanizma si skemat piramidale të viteve ’90 në Shipëri, duke sjellë pasoja të rënda financiare dhe sociale. Problemi nuk është te brezat, por te mënyra se si shteti kujdeset për interesat e qytetarëve, që duhet theksuar, si në ’97, edhe sot ka reaguar mbasi dëmi është bërë dhe organizatorët janë zhdukur bashkë me paratë.

Për pozicionin reklama1

Latest news

Për pozicionin reklama_sidebar

Related news

Për pozicionin reklama2