Juristi Ylli Manjani ka analizuar në emisionin Now situatën e Erion Veliajt pas shkarkimit nga pozita e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke e konsideruar si një moment kyç në karrierën e tij politike. Sipas Manjanit, Veliaj përballet me një vendimmarrje politike të rëndësishme dhe ka dy skenare kryesore përpara.
“Veliaj ka vendimin më të rëndësishëm politik të jetës së tij, nëse do të zgjedhë të ankohet duke ndihmuar kundërshtarin, pavarësisht çfarë thotë PD-ja. PD nuk është gati për zgjedhje. PD-së i duhet kohë për të zgjedhur kandidatin e duhur. Këta nuk kanë një kandidat zyrtar. Partia e dytë më e madhe nuk ka alternativë, i duhet kohë. Këtë kohë mund t’ia japë me negociatë ose pa dashur Erion Veliajt”, u shpreh Manjani.
Nga ana tjetër, sipas Manjanit, një alternativë tjetër do të ishte që ai të mos bëhej pengesë për Partinë Socialiste dhe të mbështeste kandidaturën e Ogerta Manastirliut.
“Ose alternativa tjetër, që Veliaj të pohojë se nuk bëhet pengesë në partinë e PS-së dhe mund të mbështesë Ogerta Manastirliun. Veliaj është në izolimin e tij më të thellë. E ka të vështirë të marrë një vendim. Duhet të jetë super i mençur për të triumfuar. Është në një situatë, ku duhet të zgjedhë mes interesit të tij të ngushtë, pra gjyqi apo sqarimi i akuzave, apo të zgjedhë ta injorojë veten dhe të jetë korrekt me vendin ku ka shërbyer”, shtoi Ylli Manjani.















