Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka zhvilluar një takim me ministrin e ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari, si pjesë e agjendës së takimeve me anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar.
Gjatë takimit, Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar ngushtësisht me Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim forcimin e institucioneve, ofrimin e ekspertizës së nevojshme, si dhe nxitjen e llogaridhënies dhe efikasitetit.
Ambasadori Gonzato ka theksuar gjithashtu nevojën për përafrimin e disa dispozitave të Kodit Penal shqiptar me standardet evropiane, si një hap kyç në procesin e anëtarësimit në BE.
“Shqipëria duhet të bëjë ndryshime në Kodin Penal për ta përafruar atë me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian. Prioritet duhet t’u jepet ndryshimeve që janë thelbësore për përmbushjen e kritereve të ndërmjetme, të cilat janë pjesë e Grupkapitullit të parë të negociatave,” ka deklaruar Gonzato.
Ai ka vënë gjithashtu në dukje rëndësinë e zbatimit të plotë të reformës në drejtësi, miratuar në vitin 2016, duke respektuar arkitekturën e saj aktuale. Po aq i rëndësishëm është arritja e një ekuilibri të duhur mes pavarësisë dhe llogaridhënies.















