Silva Caka, ish-deputete e Partisë së Lirisë, është emëruar në postin e zëvendësministres së Brendshme në qeverinë ‘Rama 4’. Ky emërim bën pjesë në një sërë ndryshimesh, ku tre zëvendësministra të rinj marrin poste në kabinetin qeverisës.
Lëvizja surprizë e Këshillit të Ministrave përfshin emërimin e ish-deputetes së Partisë së Lirisë, Silva Caka, në detyrën e zëvendësministres së Punëve të Brendshme. Caka ka mbajtur më parë poste drejtuese në Partinë e Lirisë dhe ka qenë deputete e LSI në qarkun e Beratit në vitin 2013.
Gjithashtu, Edona Bilali, ish-deputete e Partisë Socialiste në Shkodër, është emëruar zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërkohë, Eugena Tomini, ish-drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik, merr postin e zëvendësministres së Shëndetësisë.
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave janë miratuar edhe disa vendime të tjera, mes tyre:
- Miratimi i ndërtimit të një centrali fotovoltaik 30 MW në Ersekë, me një afat investimi prej 36 muajsh dhe operimi 49-vjeçar. Shoqëria fituese duhet të raportojë çdo tre muaj mbi ecurinë, të respektojë kushtet mjedisore dhe të dorëzojë sigurimin e kontratës prej 5% të investimit.
- Miratimi i marrëveshjes së garancisë për një hua prej 20 milionë euro, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës së Tiranës, për kontratën e kredisë me Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU), OSHEE Group, Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) dhe Furnizuesin e Tregut të Lirë (FTL).
- Përcaktimi i fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, i cili do të koordinojë reformën në administratë, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe luftën kundër korrupsionit.
- Përcaktimi i fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrit të Shtetit dhe Kryenegociatorit, i cili do të drejtojë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe do të bashkërendojë procesin e integrimit.
Në këtë mbledhje janë marrë edhe vendime për ndryshime në përbërjen e disa institucioneve. Edona Bilali emërohet zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Silva Caka zëvendësministër i Punëve të Brendshme, dhe Eugena Tomini zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Andi Mahila lirohet nga detyra e zëvendësministrit të Brendshëm, dhe Mira Kapisyzi lirohet nga detyra e zëvendësministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë, është shkarkuar nga kjo detyrë, me propozimin e Këshillit Bashkiak Tiranë.















