Dëshmohet një valë e re dorëheqjesh në Bashkinë e Durrësit, ku edhe pesë kryetarë të tjerë të Njësive Administrative kanë vendosur të largohen nga detyra. Nga këto, katër prej tyre janë zëvendësuar tashmë.
Kjo situatë duket të jetë pasojë e një urdhri të dhënë gjatë muajve të verës nga kryeministri Edi Rama, i cili kërkoi dorëheqje nga nënkryetarët e bashkive dhe njësive administrative.
Janë tërhequr nga pozicionet e tyre administratorët e Njësive Administrative të Katundit të Ri, Rashbullit, Ishmit dhe Manzës. Bashkia Durrës ka konfirmuar zyrtarisht këtë informacion, duke deklaruar: “Në përgjigje të interesit të mediave, ju bëjmë me dije se administratorët e njësive administrative të Manzës, Sukthit, Ishmit, Katundit të Ri dhe Rrashbullit kanë dhënë dorëheqjet dhe deri tani janë zëvendësuar 4 prej tyre”.
Administratorët e rinj të emëruar janë:
- Manzë – Rejdi Shehu
- Ishëm – Emirjan Bafti
- Katund i Ri – Julian Marku
- Rrashbull – Fiqiri Dema
Bashkia Durrës ka shtuar se: “Pas vlerësimit të performancës së gjithësecilit, vendimmarrja do të vazhdojë në ditët në vijim”. Aktualisht, i vetmi administrator i pakompletuar është ai i Sukthit.















