Tridhjetë e pesë vite pas valëve të para të emigracionit shqiptar drejt Greqisë, komuniteti shqiptar nuk trajtohet më vetëm si një histori integrimi, por si pjesë e rëndësishme e historisë shoqërore, kulturore dhe politike të vendit.
Ky është mesazhi kryesor i botimit të ri “Emigracioni shqiptar në Greqi”, i prezantuar në Athinë nga Arkivat Bashkëkohore Sociale (ASKI), i cili analizon rrugëtimin e shqiptarëve gjatë tre dekadave e gjysmë në Greqi.

Sipas studiuesve, emigracioni shqiptar nuk mund të shihet thjesht si një proces përshtatjeje, por si një histori e mbushur me kujtesë kolektive, sfida, diskriminim, solidaritet dhe përpjekje për barazi.
Drejtori i ASKI, historiani Manos Avgeridis, theksoi se botimi synon të krijojë një arkiv të posaçëm për emigracionin shqiptar në Greqi, duke dokumentuar përvojat e brezit të parë dhe të dytë të emigrantëve, si pjesë e historisë moderne të vendit.
Nga ana tjetër, profesori i Shkencave Politike në Universitetin Panteion, Dimitris Christopoulos, u shpreh se shqiptarët nuk flasin më vetëm si emigrantë, por si profesionistë, studiues dhe qytetarë aktivë që kontribuojnë në jetën publike të Greqisë.
Një vend të veçantë në diskutim zuri edhe identiteti i brezit të dytë. Konstantina Menka, përfaqësuese e Forumit Grek të Emigrantëve, tha se të rinjtë shqiptarë në Greqi po ndërtojnë një identitet të ri, duke bashkuar elementë të kulturës shqiptare dhe asaj greke.

Botimi trajton gjithashtu tema të ndjeshme si racizmi, paragjykimet, ngjarjet e vitit 2004 kundër shqiptarëve, rolin e organizatave të emigrantëve, si dhe sfidat e grave emigrante gjatë viteve të para të vendosjes në Greqi.
Në aktivitet u shfaq edhe dokumentari “Edhe EL edhe AL”, kushtuar historive të brezit të dytë të shqiptarëve, të cilët jetojnë mes dy identiteteve dhe dy kulturave.
Mesazhi i këtij botimi është i qartë: pas 35 vitesh, shqiptarët në Greqi nuk janë më vetëm pjesë e historisë së emigracionit, por edhe pjesë e historisë së vetë shoqërisë greke.












