Nga Edmond Guri -Kryetar i Diasporës Shqiptare në Greqi
1 Maji është një ditë e shënuar në kalendarin botëror. Është një histori e dhimbshme, por njëkohësisht edhe e lavdishme, pasi na kujton se shumë nga të drejtat dhe privilegjet që gëzojmë sot janë fituar me sakrifica të mëdha, madje edhe me jetë njerëzish. Është një ditë që na rikthen në ndërgjegje rrugëtimin drejt një bote më të lirë, më demokratike dhe me një treg pune më të drejtë, ku merita, vlerat dhe kontributi të jenë jo vetëm standard, por edhe virtyt.
Në këtë histori nuk mund të mungojë as kontributi i shqiptarëve në Greqi. Edhe ne, me sakrificat dhe përpjekjet tona, kemi dhënë një pjesë të rëndësishme në ndërtimin e kësaj realiteti. Mjafton të kujtojmë vitet ’90 dhe fillimin e viteve 2000, kur ajo që sot duket e natyrshme dhe e “logjikshme”, në atë kohë ishte një sfidë për mbijetesë. Emigrantët shqiptarë jetonin dhe punonin në kushte të vështira, shpesh pa dokumente, në frikë të vazhdueshme nga operacionet policore, në një realitet ku dinjiteti njerëzor vihej shpesh në provë.
Megjithatë, shqiptarët në Greqi nuk u dorëzuan. Edhe pse shpesh të lënë në harresë nga shteti amë dhe nën presionin e klimave të caktuara politike, ata gjetën forcën për të qëndruar në këmbë. Me punë, ndershmëri dhe vendosmëri, dëshmuan se janë një komunitet me integritet, me vlera dhe me histori për t’u respektuar. Me mbështetjen e popullit mik grek dhe me solidaritetin e sindikatave, shqiptarët u bënë pjesë e pandarë e klasës punëtore në Greqi, duke fituar vendin e tyre në shoqëri.
Ata punuan në sektorët më të vështirë, në bujqësi, ndërtim, turizëm dhe kudo ku kishte nevojë për punë dhe përkushtim. Nuk është rastësi që shpesh është thënë se shqiptarët kanë qenë një nga shtyllat kryesore në realizimin e veprave të mëdha, përfshirë edhe ato per Lojërat Olimpike. Në një periudhë, ata përbënin një përqindje të konsiderueshme të fuqisë punëtore në vend.
Por përveç punës, ata ishin edhe në vijën e parë të përpjekjeve për të drejta, për dinjitet dhe për barazi, duke bashkëpunuar me sindikata dhe organizata të të drejtave të njeriut. Nga një komunitet i margjinalizuar, arritën të bëhen një zë i respektuar në shoqërinë greke.
Sot, pas më shumë se dy dekadash, kemi të drejtë të ndjehemi krenarë. Kemi kaluar shumë dhe kemi arritur shumë. Por pikërisht për këtë arsye nuk duhet të harrojmë asnjëherë rrugën tonë. Sepse historia na ka mësuar se asgjë nuk është e garantuar përgjithmonë.
Krizat ekonomike, si ajo që përjetoi Greqia, treguan se sa shpejt mund të zbehen arritjet. Shqiptarët shpesh ishin ndër të parët që ndjenë pasojat: humbje pune, pasiguri, kontrata të dobësuara, vështirësi në lëvizje dhe një realitet i ri më i ashpër. Kjo na kujton se duhet të jemi gjithmonë vigjilentë dhe të gatshëm për të mbrojtur atë që kemi ndërtuar me mund.
1 Maji na thërret pikërisht për këtë: të mos harrojmë sakrificat, të vlerësojmë arritjet dhe të qëndrojmë të bashkuar për sfidat që na presin. Të jemi aktivë, të organizuar dhe të vendosur për të mbrojtur të drejtat tona në punë dhe në shoqëri.
Populli ynë thotë: “Po nuk qau fëmija, nuk i jep nëna të pijë.” Kjo është një thirrje për të mos heshtur, për të kërkuar me dinjitet atë që na takon.
Në këtë ditë, me përulje dhe mirënjohje, dua të falënderoj çdo bashkatdhetar për kontributin e tij ndër vite. Me punën, ndershmërinë dhe krenarinë tuaj, keni ngritur emrin e shqiptarit dhe keni zënë vendin që ju takon në shoqërinë ku jetojmë.
Por rruga vazhdon. Sfida ka dhe do të ketë. Ndaj duhet të jemi të bashkuar, të fortë dhe gjithmonë të gatshëm.
Me respekt,
Kryetari i Diasporës Shqiptare në Greqi
Etmond Guri












