Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbardhur vrasjen e 24-vjeçarit Klevis Lleshi, i cili u zhduk në vitin 2020, ndërsa trupi i tij i pajetë u gjet rreth 2 vite e gjysmë më vonë, i varrosur në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit.
Burime bëjnë me dije se SPAK ka lëshuar 4 urdhër-arreste për persona që dyshohet se janë përfshirë në këtë ngjarje kriminale. Një person është arrestuar, ndërsa tre të tjerët janë shpallur në kërkim.
Aurel Hoxha, pronar i lokalit “Monopol”, dyshohet të jetë urdhëruesi i rrëmbimit dhe vrasjes së Klevis Lleshit. Operacione policore po kryhen në Mamurras, Kamëz dhe Fresk.
Zhdukja e Klevis Lleshit:
- Klevis Lleshi u denoncua si i zhdukur më 5 gusht 2020. Pas 9 ditësh kërkimesh, e ëma bëri apel publik, duke deklaruar se djali i saj ishte rrëmbyer.
- Familja Lleshi ka një histori të gjatë hasmërie, e cila dyshohet të ketë shkaktuar tashmë 4 viktima, duke përfshirë babain dhe xhaxhain e Klevisit, si dhe dy persona të tjerë të zhdukur.
- Hasmëria dyshohet se ka filluar në Londër dhe më pas është transferuar në Burrel.
Identifikimi i trupit:
- Në dhjetor 2020, në fshatin Shpërdhet u gjetën mbetje kockore njerëzore. Pas analizave ADN, në shkurt 2023 u konfirmua se ato i përkisnin Klevis Lleshit.
- Trupi i tij u gjet i groposur dy vite e gjysmë pas zhdukjes, si pasojë e erozionit.
- Klevis Lleshi ishte i treti person i familjes Lleshi i vrarë në 10 vitet e fundit.
Deklaratat e nënës:
- Fatbardha Lleshi, nëna e Klevisit, ka denoncuar publikisht rrëmbimin e djalit të saj dhe ka kërkuar drejtësi nga autoritetet.
- Ajo ka shprehur dyshime se djali i saj është dorëzuar tek hasmi nga shoqëria e tij.
- Ajo ka denoncuar mungesën e veprimeve nga ana e policisë dhe prokurorisë së Burrelit, duke dyshuar se ata janë bërë palë me krimin.
Historia e hasmërisë me familjen Hoxha:
- Vrasja e emigrantit Agim Hoxha nga Anglia në vitin 2012 dyshohet të ketë shkaktuar vrasjen e Arben Lleshit në Angli, i cili u dënua me burgim të përjetshëm.
- Kjo ngjarje dyshohet të ketë çuar në vrasjen e babait të Klevisit, Xhavit Lleshit, në vitin 2013, dhe më pas të xhaxhait të tij, Hajredin Lleshit, katër vite më vonë.
- Në vitin 2017 u zhduk djali i xhaxhait, Artan Lleshi, dhe në gusht 2020 u zhduk Klevis Lleshi.















