13 C
Athens
E mërkurë, 18 Mars, 2026

“U varrosën të gjallë nën betonin e lëngshëm”, detaje nga tragjedia me tre shqiptarë të vdekur në Vjenë: Skela u shemb papritur

Detaje të reja janë zbardhur nga tragjedia e rëndë në Vjenë, në zonën e Alsergrundit, ku humbën jetën katër punëtorë, tre nga Kosova dhe një nga Bosnja.

Ngjarja ndodhi në një kantier ndërtimi në rrugën Porzellangasse, ku një skelë u shemb papritur, duke i zënë punëtorët poshtë rrënojave dhe betonit ende të pangurtësuar.

Ndërhyrja e ekipeve të shpëtimit rezultoi e vështirë.

Një tjetër punëtor, nga Maqedonia e Veriut, mbeti i plagosur rëndë dhe po trajtohet në spital në Vjenë.

Banorët e zonës përshkruan momentet e para të ngjarjes si tepër dramatike, duke dëgjuar një zhurmë të fortë të ndjekur nga britmat e punëtorëve dhe më pas sirenat e emergjencës.

Ekipet e shpëtimit u përballën me sfida të mëdha për shkak të hapësirës së ngushtë dhe pranisë së betonit të lëngshëm.

Ekipet u detyruan të hapnin rrugë hyrjeje duke hequr gardhe dhe struktura të tjera, ndërsa largonin me kujdes mbetjet e skelës dhe armaturat metalike.

Betoni i lëngshëm u hoq kryesisht me dorë, duke e bërë ndërhyrjen edhe më të vështirë.

Në vendngjarje u angazhuan rreth 120 efektivë dhe dhjetëra mjete zjarrfikëse e të mbrojtjes civile. Fillimisht u nxorën dy trupa pa shenja jete, ndërsa për të arritur tek dy të tjerët u desh më shumë kohë dhe përpjekje. Pas rreth dy orë e gjysmë, edhe ata u gjetën të pajetë.

Ambasada e Kosovës në Austri konfirmoi se viktimat janë Pajtim Barjami, Asllan Musli dhe Istref Zekaj. Në reagimin zyrtar, ajo shprehu ngushëllime për familjet e tyre dhe bëri të ditur se po bashkëpunon ngushtë me autoritetet austriake për ndjekjen e mëtejshme të rastit dhe mbështetjen e familjarëve.

 

Latest news

Related news