Policia e Elbasanit ka arrestuar një person pas ngjarjes së ndodhur ku u plagos një tjetër me mjet prerës gjatë një konflikti.
Pas marrjes së njoftimit për një konflikt fizik me përdorim të mjetit prerës në lagjen “Shënkoll”, forcat e policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Xh. S., 29 vjeç.
Ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme, në të njëjtën lagje, gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin S. A., 67 vjeç, e ka goditur atë me mjet prerës (thikë).
I dëmtuari aktualisht ndodhet në kujdesin e mjekëve dhe raportohet se është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme. Ai akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.















