32 familje, të cilat prej tre dekadash banojnë në vilat 36 dhe 38 në zonën e plazhit të Durrësit, kundërshtojnë vendimin e gjykatës së shkallës së parë, sipas të cilit ato duhet të largohen nga shtëpitë e tyre.
Arsyet për këtë vendim janë se dy godinat janë privatizuar nga pronari i truallit dhe nuk konsiderohen më pronë e bashkisë.
Urdhri i përmbarimit, i cili kërkon që banorët të lënë banesat deri më 5 tetor, ka shkaktuar alarm tek ata. Si pasojë, mëngjesin e sotëm, ata u mblodhën para bashkisë Durrës për të kërkuar një takim urgjent me kryebashkiaken Emiriana Sako.
Banorët theksojnë se gëzojnë statusin e të pastrehut dhe i bëjnë thirrje bashkisë të ofrojë një zgjidhje alternative për strehimin e tyre, siç u është premtuar në takime të mëparshme.
Pas protestës së zhvilluar, banorëve u është komunikuar se ata do të zhvillojnë një takim të hënën e ardhshme me drejtuesit e bashkisë për të diskutuar çështjen e strehimit dhe hapat e mëtejshëm.
Nga të dhënat e marra pranë bashkisë Durrës, mësohet se familjet e pastreha, të cilat nuk disponojnë banesë tjetër, do të trajtohen sipas programeve të strehimit të bashkisë, pasi të bëjnë aplikimin përkatës.















