12.5 C
Athens
E mërkurë, 25 Shkurt, 2026

Presioni i Brukselit për të mbajtur larg emigrantët qe vijne nga “vendet e treta”

𝗡𝗴𝗮 𝘃𝗶𝘇𝗮𝘁 𝘁𝗲 𝘁𝗿𝗲𝗴𝘁𝗶𝗮, 𝗽𝗹𝗮𝗻 𝗶 𝗿𝗶 𝗽𝗿𝗲𝘀𝗶𝗼𝗻𝗶 𝗶 𝗕𝗿𝘂𝗸𝘀𝗲𝗹𝗶𝘁 𝗽ë𝗿 𝘁ë 𝗺𝗯𝗮𝗷𝘁𝘂𝗿 𝗹𝗮𝗿𝗴 𝗲𝗺𝗶𝗴𝗿𝗮𝗻𝘁ë𝘁 𝗾ë 𝘃𝗶𝗷𝗻ë 𝗻𝗴𝗮 𝘃𝗲𝗻𝗱𝗲𝘁 𝗷𝗮𝘀𝗵𝘁ë 𝗕𝗘
BE pritet të përdorë vizat si mjet presioni kundër migracionit të paligjshëm. Brukseli shpall mjete të reja presioni për t’i shtyrë qeveritë e huaja të riatdhesojnë shtetasit e tyre dhe të ndalojnë nisjet e paligjshme drejt Evropës
Komisioni Evropian ka prezantuar strategjinë e tij pesëvjeçare për migracionin, e cila parashikon përdorimin e stimujve dhe masave të presionit ndaj vendeve jashtë BE-së, me synim bashkëpunimin për mbajtjen e emigrantëve të parregullt jashtë bllokut.
Sipas dy dokumenteve jo-legjislative të paraqitura të enjten nga Komisioni, Bashkimi Evropian synon të ndjekë një politikë të ashtuquajtur “diplomaci migratore më këmbëngulëse” gjatë pesë viteve të ardhshme.
Propozimet përfshijnë forcimin e sistemit të partneriteteve me vendet e treta, duke përdorur aksesin në viza, tregtinë dhe mbështetjen financiare si mjete presioni për t’i shtyrë qeveritë e huaja të riatdhesojnë shtetasit e tyre dhe të ndalojnë nisjet e paligjshme drejt Evropës.
Në këtë kuadër, BE-ja parashikon edhe përmirësimin e mekanizmit të pezullimit të vizave për vendet që konsiderohen si jo mjaftueshëm bashkëpunuese me politikat kufitare të unionit.
Dokumenti i parë, i titulluar “Strategjia Evropiane për Menaxhimin e Azilit dhe Migracionit”, shërben si një plan orientues për qasjen e Komisionit në pesë vitet e ardhshme dhe, në përgjithësi, përputhet me linjën aktuale të politikave: shtrëngimin e kufijve, përdorimin e teknologjive të avancuara për gjurmimin e shtetasve jo të BE-së që hyjnë në territorin e unionit, si dhe përmirësimin e procedurave për kthimin e emigrantëve të parregullt në vendet e tyre të origjinës.
Komisioni thekson se të gjitha masat do të bazohen në respektimin e të drejtave themelore. Një shtyllë e rëndësishme e strategjisë synon gjithashtu të tërheqë talente dhe punonjës të kualifikuar, për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të plotësuar mungesat në tregun e punës të BE-së.
“Prioriteti është i qartë: të ulim numrin e hyrjeve të paligjshme dhe t’i mbajmë ato në nivele të ulëta”, deklaroi komisioneri evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner.

Latest news

Related news