Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (PD), Gazment Bardhi, ka kërkuar në emër të grupit zhvillimin e një mocioni me debat mbi prioritetet e shpallura të Qeverisë në programin e saj politik, si dhe mbi ndërhyrjen e krimit të organizuar në jetën publike.
Në shkresën e dërguar Kuvendit, PD thekson nevojën për një debat të veçantë mbi bilancin e Qeverisë aktuale në realizimin e programit politik të kaluar dhe planifikimin e programit qeverisës për periudhën në vijim.
Partia Demokratike thekson se: “Efikasiteti i qeverisjes është i lidhur drejtpërdrejtë me integritetin e ministrave të emëruar, sepse dyshimet për kriminalizim të jetës politike dëmtojnë rëndë besimin e qytetarëve tek institucionet publike dhe përbën një regres të theksuar në marrëdhëniet e shtetit shqiptar me partnerët e saj ndërkombëtarë.”
Gjithashtu, PD thekson se “qytetarët shqiptarë duan dhe meritojnë politikanë me integritet të lartë, pa rekorde kriminale në të kaluarën e tyre dhe pa kontaktë me elementë të krimit të organizuar.”
Dokumenti thekson më tej se: “Shqipëria ka hyrë në një fazë të rëndësishme të rrugëtimit të saj europian, ku përgjegjshmëria dhe llogaridhënia e qeverisjes janë themele të rëndësishme për një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian.”
PD vlerëson se Kuvendi i Shqipërisë duhet të zhvillojë një debat të veçantë mbi bilancin aktual të Qeverisë dhe programin e saj të ardhshëm. Anëtarësimi në Bashkimin Europian, duke përfshirë rritjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve, janë çështje që duhet të shqetësojnë çdo deputet.
Me qëllim zhvillimin e një mocioni me debat, sipas nenit 98, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, Grupi Parlamentar i PD kërkon diskutimin e prioriteteve të Qeverisë dhe ndërhyrjes së krimit të organizuar në jetën publike.















