Në kohën e tranzicionit demokratik të Hungarisë, Peter Magyar mbante një poster të Viktor Orbánit të varur në dhomën e tij të gjumit.
Asokohe, Orban ishte një liberal anti-komunist që kërkonte me forcë tërheqjen e trupave sovjetike nga Hungaria. Tani, Magyar i dha fund 16 viteve të Viktor Orbanit si kryeministër i Hungarisë. Shumë hungarezë, sidomos ata që kanë njohur vetëm sundimin e Orbán, e prisnin këtë moment, prej shumë vitesh, shkruan CNN.
I veshur me stil, energjik dhe tejet i artikuluar, politikani 45 vjeçar që është rreth 17 vjet më i ri se Orbani, vjen nga një familje e pasur e Budapestit. Mes të afërmve të Magyar, emri i të cilit do të thotë “Hungarez”, ka avokatë e gjykatës, si edhe vetë Ferenc Mádl, i cili shërbeu si president i Hungarisë nga viti 2000 deri në 2005, gjatë mandatit të parë të Viktor Orbanit si kryeministër.
Rruga e Peter Magyarit nga mbështetës i flaktë i Orbanit në rival të ashpër të tij, ka qenë e rrufeshme. Vetëm dy vite më parë, ai ishte anëtar i partisë qeverisëse Fidesz, dhe ka qenë i martuar me Judit Varga, dikur një nga yjet në rritje të kësaj force politike dhe ish ministre e drejtësisë. Kthesa e madhe në marrëdhëniet e tyre nisi me një intervistë: Péter Magyar ishte pothuajse i panjohur për publikun deri në fillim të vitit 2024, kur shpërtheu një skandal që ndryshoi rrënjësisht qëndrimin e tij. Falja e bashkëpunëtorit të një abuzuesi të dënuar fëmijësh çoi drejt dorëheqjes së kreut të shtetit largimin e Vargës nga politika.
Partia Fidesz e fajësoi Vargën, e cila kishte nënshkruar vendimin për falje në cilësinë e saj si ministre e drejtësisë. Magyar u zemërua kaq shumë sa brenda pak orësh publikoi një postim në Facebook, duke shprehur indinjatë të hapur ndaj qeverisë Orban, të cilën e akuzoi për korrupsion endemik dhe abuzime që siç tha, i kishte dëshmuar personalisht siç ishte detyrimi për të favorizuar njerëz të afërt me Orbán gjatë kohës që ishte kryetar i ofruesit kombëtar të kredive studentore. Që nga ai moment, marrëdhënia e tij me Fidezin ndryshoi kryekëput. Më pas, ai dha një intervistë për kanalin online Partizán, moment kyç që solli shpërthimin e befasishëm të popullaritetit aq sa brenda pak ditësh arriti të organizonte një tubim në Budapest, që tërhoqi dhjetëra mijëra njerëz.
Duke shfrytëzuar mbështetjen e re që kishte fituar, Magyar mori drejtimin e partisë atëherë më pak të njohur Tisza dhe kandidoi në zgjedhjet e Parlamentit Evropian 2024, ku fitoi një vend si deputet në Parlamentin Europian dhe Tisza-n përfundoi e dyta pas koalicionit qeverisës.
Rezultati i atyre zgjedhjeve tregoi se votuesit hungarezë dukeshin gjithnjë e më të zhgënjyer jo vetëm nga partia në pushtet, por edhe nga partitë e tjera opozitare, të cilat Magyar i quajti “opozita e vjetër”, dhe prisnin një alternativë të re të cilës t`i besonin mbështetjen e tyre.












