12.4 C
Athens
E premte, 9 Janar, 2026

Ndërtimi nuk ndalet, Tirana “thith” 70% të sipërfaqes së re.

Sektori i ndërtimit vijon të mbetet një nga motorët kryesorë të ekonomisë, ku kryeqyteti mban sërish peshën absolute të zhvillimit. Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi këtë të enjte të dhënat për lejet e ndërtimit në Tremujorin e Tretë 2025, duke zbuluar miratimin e projekteve me një vlerë totale investimi prej rreth 15.9 miliardë lekësh (afro 156 milionë euro).

Në periudhën korrik-shtator 2025, bashkitë në të gjithë vendin kanë miratuar 289 leje ndërtimi për objekte të reja, me një sipërfaqe totale ndërtimi prej 350,603 m².

Tirana, kantier i madh ndërtimi

Diferenca mes Tiranës dhe pjesës tjetër të Shqipërisë mbetet e thellë. Ndonëse në numër lejesh, Qarku i Tiranës ka marrë 93 leje (rreth 32% të totalit), në sipërfaqe ndërtimi ajo dominon masivisht.

Sipas INSTAT, nga 350 mijë m² që do të ndërtohen në të gjithë vendin, 252,026 m² i përkasin vetëm Qarkut të Tiranës. Kjo tregon se ndërsa në rrethe miratohen objekte të vogla, në Tiranë vijon miratimi i komplekseve të mëdha rezidenciale dhe kullave.

Pas Tiranës, rritje në vlerën e projekteve ndërtimore kanë regjistruar edhe qarqet Elbasan, Kukës dhe Dibër.

Banim apo biznes?

Fokusi kryesor i ndërtuesve mbetet strehimi. Nga 289 leje gjithsej, 231 leje janë për ndërtesa banimi (pallate, rezidenca komunitare, vila), me një sipërfaqe prej 273,190 m².

58 leje janë për ndërtesa jo-rezidente (hotele, qendra tregtare, objekte industriale), me një sipërfaqe prej 77,413 m².

Vlen të theksohet se për hotelet janë miratuar 4 leje të reja me një sipërfaqe rreth 5,600 m², ndërsa për ndërtesa industriale janë dhënë 25 leje.

INSTAT ka sqaruar se të dhënat e këtij tremujori bazohen vetëm në raportimet e bashkive dhe nuk përfshijnë ende institucionet e tjera që miratojnë leje (si KKT), për shkak të ndryshimeve në procesin e raportimit.

Për këtë arsye, shifrat e këtij tremujori nuk mund të krahasohen drejtpërdrejt me të njëjtën periudhë të vitit 2024, pasi mungesa e të dhënave nga entet e tjera mund të krijojë një pasqyrë jo të plotë të rritjes apo tkurrjes reale vjetore.

/rtsh.al/

Latest news

Related news