Nga Luan Pacani – gazetar
Jam një zë që vjen nga larg, që rreh me të njëjtin ritëm me zemrën e Shqipërisë.
- Mos e digjni Shqipërinë.
- Ajo është e jona.
- Është e juaja.
Është e fëmijëve tanë që sot rriten në mërgim me mallin për tokën e të parëve. Është balta që na lindi, ajri që na frymoi,toka që na mësoi fjalën e parë, flamuri që na bashkon edhe kur jemi mijëra kilometra larg.
Ne jemi pro protestave.
- Protesta është e drejtë.
- Është themel i demokracisë.
- Është zëri i qytetarit kur ndjen padrejtësi.
- Por protesta e ligjshme dhe paqësore është forcë. Dhuna është dobësi.
- Zjarri nuk është argument.
- Flaka nuk është program politik.
Prej kohësh po dëgjojmë thirrje për përplasje, për zjarr, për përballje me institucionet e shtetit. Figura të njohura politike, si Sali Berisha, artikulojnë fjalë që tingëllojnë si kushtrime lufte e jo si thirrje për qytetari. Kur dëgjon predikime për “flakë” e “zjarr” mbi institucione të rëndësisë së veçantë, nuk mund të mos të dhembë shpirti.
Edhe më e rëndë bëhet pamja kur në ballë të turmës sheh fëmijë të mitur.
Fëmijët nuk duhet të jenë mburojë politike. Ata duhet të jenë në shkollë, në libra, në ëndrra – jo në vijën e parë të përplasjes.
Po, qeveritë gabojnë. Çdo qeveri ka 1001 të këqija. Por rotacioni politik në një shtet demokratik vjen nga kutia e votimit, jo nga flakët mbi trupin e Atdheut.
Ndryshimi i pushtetit nuk fitohet me gurë e benzinë, molotov,por me votë, me organizim, me program, me bindje qytetare,me vizione të reja, me platforma ndryshimi
Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër cikël djegiesh, shkatërrimesh dhe urrejtjeje. I kemi perjetuar ato ,e na dhemb shpirti.
Trupi i Atdheut ka plagë të vjetra.
Historia jonë ka mjaftueshëm trauma për të mos shtuar të reja. Çdo dritare e thyer,cdo molotov i hedhur me urdher partiak, është një faturë për qytetarin. Çdo institucion i djegur është një shërbim më pak për popullin.

Kur bëhen thirrje për dhunë, drejtësia duhet të flasë. Institucione si Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë përgjegjësi para ligjit dhe para qytetarëve.
Heshtja përballë gjuhës së dhunës perceptohet si standard i dyfishtë. Dhe standardet e dyfishta janë helm për besimin publik,janë helm për demokracinë e vertetë,janë helm per pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Unë nuk jam fanatik e militant i bindur partiak.
Nuk jam ushtar i betuar i asnjë kampi. Jam shqiptar që jetoj prej 33 vitesh jashtë Atdheut,jam njëri që ju kam venë shpatullat punëve ,pa kërkuar asgjë nga Atdheu,nga partitë,nga pushtetet, por të jeni të bindur , që zgjohem e fle me lajmet nga Atdheu.
Jam një prej mijëra emigrantëve që punojmë larg, por zemrën e kemi atje. Kur shohim pamje flakësh në Tiranë, nuk shohim thjesht një qytet – shohim shtëpinë tonë. Proteston dhe Adriatik Lapaj per më shumë se 70 dite pa ndërprerje,por ska tym e flakë.
Ka programe dhe ide të cilat i shpalos paqësisht e jo dhunshëm. Proteston dhe Arlid Qori, paqësisht e me programe,me mesazhe.
Ne nuk duam një Shqipëri të heshtur.
Duam një Shqipëri që flet, proteston, kërkon llogari. Por duam një Shqipëri që ndërton, jo që djeg. Që debaton, jo që përplaset. Që fiton me votë, jo me zjarr.
Mjaft më!
Shqipëria është më e madhe se çdo lider. Më e gjatë se çdo mandat. Më e fortë se çdo parti. Ajo na përket të gjithëve – atyre që jetojnë brenda dhe atyre që jetojnë jashtë.
Mos e digjni Shqipërinë. Mbajeni në duar-në zemër jo në flakë. “Eshtë e jona Shqipëria”












