Qeveria shqiptare ka ndërmarrë disa ndryshime të rëndësishme në strukturën e saj ekzekutive këtë të enjte, duke sjellë emërimin e tre grave në pozicione të zëvendësministre.
Eugena Tomini është emëruar në postin e zëvendësministres së Shëndetësisë.
Edona Bilali, e cila më parë ka mbajtur detyrën e ministres për Sipërmarrjen dhe Inovacionin, rikthehet në qeveri si zëvendësministre në Ministrinë e Infrastrukturës.
Megjithatë, lëvizja më e papritur ka qenë ajo e Silva Cakës, e cila është emëruar zëvendësministre e Brendshme. Vetëm pak ditë më parë, Caka shërbeu si anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe këshilltare politike pranë Partisë së Lirisë, detyra nga të cilat ajo dha dorëheqjen pak para emërimit të saj. Ajo gjithashtu ishte kandidate për deputete në zgjedhjet e 11 majit, duke kryesuar listën e Partisë së Lirisë.
Ky zhvillim vjen jo shumë kohë pas një tjetër kalimi të spikatur, atë të Endrit Brahimllarit, ish-nënkryetar i Partisë së Lirisë, i cili i është bashkuar Partisë Socialiste.















