Një vizitë e papritur në qendrën e emigrantëve në Gjader, në veri të Shqipërisë, ka zbuluar një situatë alarmante. Deputetët italianë Rachele Scarpa dhe Matteo Orfini të Partisë Demokratike, si edhe Riccardo Magi i +Europa, kanë denoncuar kushte “çnjerëzore” dhe trajtime “shokuese” ndaj emigrantëve të mbajtur aty, shkruan La Repubblica.
Sipas tyre, në qendrën e ndërtuar për 830 persona, aktualisht ndodhen vetëm 25 emigrantë, shumica e të cilëve ‘të përgjumur e të mpirë’ nga përdorimi i barnave si Rivotril.
Në vetëm tre muajt e fundit janë regjistruar 30 raste vetëdëmtimi, një tregues i dëshpërimit dhe pasigurisë totale që ndjejnë këta njerëz.
Deputetët raportuan se disa nga emigrantët janë dërguar në Gjader pa asnjë procedurë të qartë ligjore, disa pasi janë shpëtuar në det pa e shkelur kurrë tokën italiane, ndërsa të tjerë pas shumë vitesh pune në Itali, por me leje qëndrimi të skaduar. Shumica nuk kanë asnjë precedent penal.
Ndërkohë, hotspoti i Shëngjinit është mbyllur, dhe tashmë emigrantët dërgohen vetëm me avionë të Guardia di Finanza. Në një vit funksionimi, vetëm 220 emigrantë kanë kaluar nga kjo qendër.
‘Rreth 70% e tyre janë kthyer në Itali për mungesë të konfirmimit të qëndrimit, një tridhjetë për arsye shëndetësore, dhe vetëm pak janë riatdhesuar,’ shpjegoi deputetja Scarpa.
‘E gjithë kjo mund të ishte bërë drejtpërdrejt nga Italia, pa harxhuar para dhe pa shkaktuar gjithë këtë vuajtje të panevojshme,’ tha Matteo Orfini, duke akuzuar Ministrinë e Brendshme italiane për mungesë transparence:
‘Refuzimi i Viminales për të dhënë numrat dhe informacionin për atë që ndodh këtu është i pashpjegueshëm.’















