Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku. Në një konferencë me gazetarët, Berisha deklaroi se Rama nuk mund të qeverisë më vendin pas të dhënave që kanë dalë nga hetimet e SPAK-ut për zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
“Jam sot këtu për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës dhe Lubi Ballukut nga postet e tyre.”
Sipas Berishës, dosja e AKSHI-t është më e rënda deri tani, pasi është cenuar edhe siguria kombëtare, duke iu kundërpërgjigjur kryeministrit dhe mbrojtjes që ai i bëri një ditë më parë drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
“Edi Rama pretendonte se Linda e dytë e tij, se i kanë rastisur të tria me Linda, Belinda, Mirlinda, Linda, se si i merr fati të tria në një rreth të kuq, se Mirlinda po akuzohet se ka përdorur fonde. Po ka mbrojtje më kriminale, më të turpshme se kjo? Akuzohet se ka vjedhur fondet. Se ka drejtuar një organizatë kriminale me Ergys Agasin, me koordinatorin e tij, dhe se fondet kanë shkuar që të gjitha në familjen supermafioze Rama.”
Përtej betejës me qeverinë, Berisha foli edhe për problemet e vetë Partisë Demokratike. Kryetari i PD-së shfrytëzoi një takim me Departamentin e Brain Gain për të pranuar se të rinjtë demokratë të shkolluar jashtë nuk u përfshinë në listat e deputetëve apo forumet drejtuese. Sipas Berishës, zgjidhja për këtë duhet të jetë ndryshimi i statutit.
“Nuk duhet të jenë zgjidhjet çështje e vullnetit të kryetarit apo kryesisë së partisë, zgjidhjet duhet të jenë garanci statutore.”
Mungesa e të rinjve në listat e kandidatëve për deputet ishte një prej kritikave më të forta ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha, pasi më 11 maj asnjë prej të rinjve nuk ishte në pjesën e sigurt të listave.
/vizionplus.tv












