Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin e koduar “Member”, duke arrestuar një shtetas të kërkuar nga drejtësia për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.
Personi i arrestuar është Fredi Pali, 36 vjeç, banues në Lezhë. Ai u lokalizua dhe u kap nga forcat policore në zonën e Ishull Shëngjinit, pas një hetimi të kryer nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë njoftoi se ndaj 36-vjeçarit ishte lëshuar një urdhër arresti nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) më datë 11 prill 2023, duke i caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Fredi Pali akuzohet për disa vepra penale të rënda, përfshirë:
- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal;
- “Grupi i strukturuar kriminal”;
- “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.
Hetimet rezultojnë se i arrestuari ka qenë pjesë aktive e një grupi kriminal, që vepronte në fushën e trafikut të narkotikëve, dhe dyshohet të jetë përfshirë edhe në pastrimin e të ardhurave të përfituara nga veprimtaritë e paligjshme.
Materialet procedurale lidhur me këtë rast i janë referuar Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për hetime të mëtejshme.















