Në minierën e Bulqizës ka ndodhur një tragjedi ku një minator 38-vjeçar ka humbur jetën gjatë punës.
Si pasojë e kësaj ngjarjeje, dy punonjës të stafit teknik të minierës janë arrestuar. Nga hetimet paraprake është konstatuar se dy të arrestuarit, me iniciale G.K., 47 vjeç dhe B.C., 62 vjeç, nuk kanë marrë masat e nevojshme për të garantuar kushtet e sigurimit teknik të punës në subjektin minerar.
Gjithashtu, është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe drejtuesi teknik i subjektit, shtetasi R.P., 67 vjeç.
Sipas njoftimit të policisë së Bulqizës, veprimet ose mosveprimet e këtyre personave dyshohet se kanë çuar në moskujdes për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në punë, ku humbi jetën shtetasi K.D., 38 vjeç.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një galeri të minierës, ku dyshohet se ka pasur një shembje masivi shkëmbor gjatë punës.
Materialet e grumbulluara janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, me pasojë vdekjen”.















