12.4 C
Athens
E premte, 9 Janar, 2026

𝗕𝗼𝗻𝗶𝗲𝗸: 𝗡ë 𝘁𝗲𝗼𝗿𝗶 𝗷𝗲𝗺𝗶 𝗳𝗮𝘃𝗼𝗿𝗶𝘁 𝗻𝗱𝗮𝗷 𝗦𝗵𝗾𝗶𝗽ë𝗿𝗶𝘀ë, 𝗻𝗮 𝗽𝗿𝗲𝘀𝗶𝗻 𝗻𝗱𝗲𝘀𝗵𝗷𝗲 𝘁ë 𝗳𝗼𝗿𝘁𝗮

Zbigniew Boniek, ish-zëvendëspresident i UEFA-s, ka prekur disa tema të rëndësishme gjatë intervistës së tij për “Radio Anch’io Sport” në Rai Radio 1, duke u ndalur veçanërisht te playoff-et e Botërorit.
Sipas Boniek, Italia mbetet favorite për kualifikimin. “Nuk arrij ta imagjinoj që Italia të mos fitojë në shtëpi kundër Irlandës së Veriut. Në teori, problemi është ndeshja e dytë: një takim i vetëm jashtë fushe kundër Uellsit ose Bosnjës mund të jetë i rrezikshëm”, u shpreh ai.
Boniek nënvizoi se mungesa në Kupën e Botës ka pasoja që shkojnë përtej sportit. “Të mos shkosh në Botëror është një dëm sidomos për fëmijët, që duan të ëndërrojnë”, tha ai.
Duke folur për Poloninë, Boniek pranoi se edhe përfaqësuesja e tij përballet me sfida të vështira. “Kemi dy ndeshje të balancuara dhe të forta: fillimisht Shqipëria në shtëpi, më pas, nëse kalojmë, një transfertë kundër Suedisë ose Ukrainës. Në teori jemi favoritë, njësoj si Italia”, theksoi ai.
Në fund, Boniek u ndal edhe te Botërori i zgjeruar, duke e cilësuar çështje më shumë politike dhe ekonomike sesa sportive. “Nëse do të kandidoja për president të FIFA-s, do të propozoja një Botëror me 96 skuadra, që të më votojnë të gjithë”, tha ai me shaka.
Më pas shtoi se nuk është aspak dakord me formatin aktual me 48 skuadra: “Janë shumë dhe nuk do ta rrisin cilësinë e lojës. Sot është më e vështirë të kualifikohesh në Botëror sesa të dalësh nga grupi. Ky zgjerim ka dëmtuar më shumë Europën, e cila ka marrë vetëm tre vende shtesë, një rritje minimale krahasuar me kontinentet e tjera”.

Latest news

Related news